Vlerësimi i nevojave është themelor për mbarëvajtjen e procesit të trajnimit. 

Vlerësimi duhet të mundësojë një lidhje sa më të qartë midis nevojave në botën reale, artikulimit të tyre në letër dhe trajnimit si një kontribut mbështetës në rrugën drejt zhvillimit. 

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, gjatë periudhës tetor-nëntor 2018, kreu procesin e Vlerësimit të nevojave (2019 – 2020), për të gjithë punonjësit e shtetit nga pushteti qendror, institucionet e pavarura, si dhe pushteti vendor.  Kjo ishte hera e parë që vlerësimi i nevojave u krye në një rang kaq të gjerë, duke mbuluar nivelet e punonjësve kombëtar, institucional dhe shtetëror për vlerësimin e nevojave për trajnim.  Vlerësimi u bë në tre kategori kryesore të nevojave për trajnim, të tilla si mbështetja për zbatimin e detyrave funksionale, mbështetja për procesin e Integrimit Evropian, si dhe të nevojave për përmirësim të komunikimit në gjuhë të huaj.  

Në fillim të muajit Tetor 2022, ASPA nisi procesin e vlerësimit të nevojave për trajnim për vitin 2023 duke përfshirë të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Informacioni i dërguar nga institucionet u përpunua duke i prioritizuar këto nevoja bazuar në detyrimet ligjore, prioritetet strategjike dhe  kuadrin strategjik, si dhe trajnimet për zhvillimin profesional. Rezultatet e vlerësimit të nevojave për trajnim, janë pasqyruar në programin e trajnimit për vitin 2023. Në këtë proces u evidentuan rreth 107 tematika trajnimi të cilat janë përfshirë në programin e trajnimit.