Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), është institucion publik qendror, me autonomi administrative dhe akademike, që ka për qëllim formimin e nëpunësve të pushtetit qendror, pushtetit vendor, si dhe institucioneve të pavaruara. ASPA ushtron veprimtarinë e saj prej vitit 2000, fillimisht e organizuar si Instituti i Trajnimit të  Administratës Publike (ITAP) dhe prej vitit 2013, si Shkolla Shqiptare e Administratës Publike. Organizimi dhe funksionimi i ASPA rregullohet me Ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138 datë 12/03/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe trajnimin e nëpunësve civilë”.

ASPA ofron shërbime të ndryshme në kuadër të programit të trajnimit në klasë, programit të trajnimit për trajnerë, programit të intershipit, programit e-learning, etj. Çdo vit ASPA trajnon rreth 5000 zyrtarë publikë, mbështetur në më shumë se 100 module didaktike trajnimi. ASPA bashkëpunon me trajnerë që vijnë nga bota akademike, administrata publike, si dhe ekspertiza lokale e fushave të ndryshme.