Coaching 

Ka disa mënyra për të ndihmuar veten që të rritemi profesionalisht. Coaching është një prej tyre. Cilësuar si një nga metodat më efikase të zhvillimit profesional, coaching na ndihmon të thellohemi e të qartësohemi në punën tonë, duke ofruar mbështetjen individuale të  një profesionisti të së njëjtës fushë, në çdo nivel, derisa të arrijmë aty ku kemi synim. Coaching rrit ndërgjegjësimin për alternativat brenda punës, na i bën zgjedhjet më të lehta dhe përshpejton aftësimin profesional brenda një kohe më të shkurtër sesa me format e tjera të trajnimit. Coaching është një kulturë që po përhapet me shpejtësi, sepse nxit dhe inkurajon rritjen profesionale dhe shkëmbimin e eksperiencave. Është metodë e përdorur për fuqizimin e punonjësve për të qenë të fokusuar dhe orientuar drejt rezultateve në punën e tyre.

Mentorimi

Edhe më profesionistët që kanë shumë vite eksperiencë e portofol të ngjeshur kualifikimesh, ndodh që të kenë ngërç në punën e tyre. Për të maksimizuar kombinimin e dijes me eksperiencën, por duke i shtuar edhe potencialin për zhvillim të mëtejshëm, vjen në ndihmë mentorimi.

Cilësuar si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin personal, mentorimi ndihmon në mënyrë efektive në avancimin e karrierës. Është ndërveprim mes dy personash (mentor dhe i mentoruar) brenda një sektori të caktuar dhe me interesa të përbashkëta. Mentori shërben si një guidë që i mentoruari të gjejë zgjidhje, rrugëdalje e alternativa për të ardhmen e tij, që nuk është në gjendje t’i identifikojë vetë.

Mentorët përdorin eksperiencat personale në sektorë të njëjtë apo të ngjashëm për të adresuar çështjet, duke ofruar ura lidhëse mes mundësive dhe përdorimit të tyre. Mentori bën pyetje, sfidon dhe nxit reflektim, por nga ana tjetër, edhe transmeton dijen, ndihmon për të eksploruar ide të reja, për të analizuar veten më mirë, për të parë më qartë problemet, mundësitë, qëllimet dhe zgjidhjet. 

Shkolla po krijon rrjetin e saj të këshilluesve (në kuadër të mentoring dhe coaching), të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë çdokënd që synon të zhvillohet. Ju duhet një këshillë? Dëshironi të kontribuoni si mentor apo coach? Ju ftojmë të na kontaktoni në aspa@aspa.gov.al