Vlerësimi i nevojave është themelor për mbarëvajtjen e procesit të trajnimit. Vlerësimi duhet të mundësojë një lidhje të qartë midis nevojave në botën reale, artikulimit të tyre në letër dhe trajnimit si një kontribut mbështetës në rrugën drejt zhvillimit.

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) përgjatë fundit të vitit 2023 kreu procesin e Vlerësimit të Nevojave për Trajnim (VNT) për vitin 2024 për të gjithë punonjësit e administratës publike nga pushteti qendror, pushteti vendor, si dhe institucionet e pavarura.

Ky proces vlerësimi identifikoi nevojat për trajnim për çështje të lidhura me këto fusha kryesore:

  • Cikli bazë i punës në administratën publike;
  • Teknologjia;
  • Menaxhimi i organizatës;
  • Integrimi Evropian;
  • Çështje ligjore;
  • Grup çështjesh të tjera horizontale;
  • Kompetencat e veta dhe të deleguara të njësive të vetëqeverisjes vendore;
  • Zbatimin e detyrave funksionale.

Në këtë proces, në total nga pushteti qendror, vendor dhe institucionet e pavarura u reflektuan 24674 kërkesa për trajnim.

Informacioni i dërguar nga institucionet u përpunua duke i prioritizuar këto nevoja bazuar në detyrimet ligjore, prioritetet strategjike, si dhe trajnimet që kontribuojnë në zhvillimin personal. Rezultatet e vlerësimit të nevojave për trajnim, janë pasqyruar në programin e trajnimit për vitin 2024.