“Ndryshimi nuk vjen nga jashtë – ai fillon brenda institucionit, me njerëzit dhe vizionin e tyre.”

CAF – Një Zgjidhje Praktike dhe Pa Kosto për Cilësi në Administratën Publike

Në një kohë kur administrata publike përballet me sfida të shumta – pritshmëri të larta nga qytetarët, burime të kufizuara dhe nevojë për transparencë – kërkesa për mjete efektive menaxhimi të cilësisë është më e madhe se kurrë. CAF (Common Assessment Framework) ofron një zgjidhje praktike, efikase dhe mbi të gjitha pa kosto për të ndihmuar institucionet publike të përmirësojnë vazhdimisht performancën dhe shërbimet e tyre.

CAF është një instrument evropian i vetëvlerësimit organizativ që u mundëson institucioneve publike të analizojnë në mënyrë sistematike mënyrën se si funksionojnë, të identifikojnë pikat e forta dhe fushat për përmirësim, dhe të ndërmarrin veprime konkrete për zhvillim të qëndrueshëm. Një nga avantazhet më të mëdha të CAF është se ai zbatohet nga vetë stafi i institucionit, pa nevojë për ekspertë të jashtëm apo fonde shtesë.

CAF dhe Menaxhimi i Cilësisë (Quality Management)

Ky model bazohet në parimet e Menaxhimit Total të Cilësisë (TQM) dhe është frymëzuar nga modelet më të mëdha të cilësisë, në veçanti nga Modeli i Ekselencës i Fondacionit Evropian për Menaxhimin e Cilësisë (EFQM).

Modeli CAF bazohet në idenë se rezultatet e shkëlqyera për performancën organizative, qytetarët/klientët, stafin dhe shoqërinë arrihen përmes:

  • Lidershipit të fortë
  • Strategjisë së qartë
  • Burimeve njerëzore të angazhuara
  • Partneriteteve efektive
  • Proceseve të menaxhuara mirë

CAF është një mjet praktik i menaxhimit të cilësisë, i ndërtuar mbi parimet e TQM. Ai ndihmon institucionet publike të vendosin standarde të qarta për performancën, të matin rezultatet dhe të ndërtojnë një kulturë të përmirësimit të vazhdueshëm.

Përfitimet e përdorimit të CAF

  • Vetëvlerësim gjithëpërfshirës dhe i strukturuar – identifikon qartë pikat e forta dhe fushat për zhvillim;
  • Angazhim të stafit në të gjitha nivelet – ndërtim kulture cilësie dhe përmirësimi të brendshëm;
  • Mbështetje për planifikimin strategjik – bazë e fortë për vendimmarrje të informuar;
  • Përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve publike në përputhje me nevojat e qytetarëve;
  • Përputhshmëri me standardet evropiane të cilësisë dhe shkëmbim praktikash me institucione të tjera.

Përmes zbatimit të CAF, institucionet ndërtojnë një cikël të qëndrueshëm të zhvillimit organizativ, duke u mbështetur në të dhëna, evidencë dhe përfshirje të gjerë.

Konkluzion

CAF nuk është thjesht një mjet vlerësimi – është një filozofi pune që vendos qytetarin dhe cilësinë në qendër të veprimit institucional. Duke qenë pa kosto, i brendshëm dhe i thjeshtë për t’u përdorur, CAF është një investim strategjik për çdo institucion që dëshiron të ofrojë shërbime publike më efikase, më të përgjegjshme dhe më të besueshme.

Për më shumë info kontakto: elda.baguca@aspa.gov.al

CAF – Mjeti që ndihmon institucionet publike të përmirësohen, pa kosto!

A e dini që institucionet publike mund të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe të analizojnë performancën e tyre pa shpenzime shtesë? CAF është një metodë pa kosto, që zbatohet nga vetë stafi i institucionit, duke përfshirë të gjithë në përmirësimin e punës dhe shërbimeve për qytetarët.

CAF ndihmon institucionet të:

  • Vetëvlerësojnë performancën
  • Përmirësojnë transparencën dhe efikasitetin
  • Hartojnë plane konkrete për zhvillim
  • Harmonizohen me standardet evropiane të cilësisë

“Ndryshimi nuk vjen nga jashtë – ai fillon brenda institucionit, me njerëzit dhe vizionin e tyre.”

Një administratë cilësore nis nga brenda!

#CAF #CilesiaPublike #AdministrateEfikase #MenaxhimCilesie #QytetariNëQendër

Shiko broshurën: Kliko këtu
Më shumë partnerët në CAF/KPV: ReSPA | About CAF

CAF është Mjeti i Përbashkët Evropian i Vlerësimit, një mjet i përshtatur për menaxhimin e cilësisë për administratën publike, për të filluar një proces përmirësimi të vazhdueshëm dhe për të krijuar shërbime publike efikase dhe me cilësi të lartë. Më shumë rreth CAF mund të gjeni në:

Broshura 1

Broshura 2

Broshura 3

Kontaktoni për më shumë informacion: elda.baguca@aspa.gov.al

Në datën 10 nëntor, u zhvillua dita Informuese për CAF. Ky aktivitet synoi në fuqizimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) në adoptimin dhe zgjerimin e përdorimit të Common Assessment Framework (CAF), model evropian i menaxhimit total të cilësisë për sektorin publik. Aktiviteti synon promovimin e parimeve të Menaxhimit të Cilësisë (QM) dhe përhapjen e CAF në administratën publike shqiptare, duke bashkuar ekspertizë kombëtare, rajonale dhe të BE-së.

Pjesëmarrësit u njohën me parimet e QM, strukturën dhe përdorimin e CAF, mënyrën e vlerësimit të efektivitetit organizativ, si dhe procesin e zbatimit të CAF dhe CAF Excellence Recognition (CER). Përmes një paneli online me përfaqësues nga vendet anëtare të BE-së, Ballkani Perëndimor dhe Partneriteti Lindor, u bë e mundur shkëmbimi i praktikave më të mira dhe përvoja konkrete mbi përfitimet e CAF, si nxitja e përmirësimit të vazhdueshëm, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, zhvillimi i stafit dhe ofrimi i shërbimeve më efikase dhe të orientuara drejt qytetarit.

Agenda përfshiu prezantime mbi qasjen e qëndrueshme të menaxhimit të cilësisë, rolin e Qendrës Evropiane të Burimeve CAF (EIPA), hapat për nisjen e procesit CAF, kriteret e vlerësimit (Enablers dhe Results), si dhe tre fazat e zbatimit të CAF në organizatë, nga planifikimi dhe vetëvlerësimi deri te plani i veprimit dhe certifikimi.

Për më shumë: https://www.instagram.com/p/DQ6lq1YjMUS/?igsh=MWtzZGwxcGx0MHpnNg==


Në kuadër të forcimit të kapaciteteve të administratës publike në Shqipëri, në datat 2–3 Qershor 2026 ne ambientet e Hotel “ Monarc”,u zhvillua në trajnimi “The Common Assessment Framework (CAF)”, me mbështetjen e Programit të Asistencës Teknike të Luksemburgut. Aktiviteti pati si qëllim prezantimin dhe thellimin e njohurive mbi modelin CAF, një instrument i menaxhimit të cilësisë totale i dedikuar për institucionet publike dhe i fokusuar në vetëvlerësimin e performancës dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet kryesore të modelit CAF 2020, mënyrat e organizimit dhe menaxhimit të procesit të vetëvlerësimit, si dhe me fazat kryesore të zbatimit, faktorët e suksesit dhe sfidat që lidhen me këtë proces. Një vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit të rezultateve të vetëvlerësimit në plane konkrete përmirësimi, si dhe metodave për ndjekjen dhe matjen e performancës institucionale. Përmes ushtrimeve praktike, diskutimeve interaktive dhe shkëmbimit të eksperiencave, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi praktike për zbatimin efektiv të modelit në institucionet përkatëse.

Seminari u fokusua kryesisht tek stafi drejtues i institucioneve qendrore dhe agjencive qeveritare, të përzgjedhur nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), duke synuar rritjen e kapaciteteve drejtuese dhe përmirësimin e performancës në sektorin publik.

Trajnimi u zhvillua nga ekspertë të Qendrës Evropiane CAF pranë EIPA, konkretisht znj. Tihana Puzić, Head of the European CAF Resource Centre (EIPA Maastricht), znj. Giovanna Belisário, Research Officer pranë kësaj qendre, si dhe znj. Christiane Lamesch, Senior Project Management Officer dhe Manager e Departamentit Luxembourg PO në EIPA Luxembourg – European Centre for Judges and Lawyers.

Zhvillimi i këtij aktiviteti kontribuoi në forcimin e njohurive mbi menaxhimin e cilësisë dhe në promovimin e një kulture të përmirësimit të vazhdueshëm në administratën publike. Organizimi i suksesshëm dhe pjesëmarrja aktive e të pranishmëve ndikuan drejtpërdrejt në cilësinë dhe efektivitetin e trajnimit, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për aplikimin e mëtejshëm të modelit CAF në institucionet publike.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj metodologjie në administratën publike shqiptare, si edhe faktin që njohuritë mbi CAF mbeten ende të kufizuara, propozohet që ky trajnim të përfshihet në programet e trajnimit të vazhdueshëm për administratën publike. Një qasje e tillë do të kontribuonte në rritjen e ndërgjegjësimit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zgjerimin e përdorimit të modelit CAF si një mjet efektiv për përmirësimin e performancës dhe cilësisë së shërbimeve publike.

Lexo edhe: Recognising success in public administration