Administrata Publike ka nevojë për punonjës të kualifikuar: me aftësi të mira menaxhuese; që dinë të analizojnë, të planifikojnë, të zbatojnë dhe të monitorojnë në mënyrë efektive, eficente dhe efikase; që kanë ndjenjë të lartë përgjegjshmërie ndaj të mirës publike; që dinë të punojnë në skuadër, por edhe në mënyrë të pavarur. Për të pasur një trupë të nënpunësve të tillë, Shkolla e Administratës Publike ofron trajnime dhe mundësi të vazhdueshme zhvillimi për nëpunësit civilë, punonjës të administratës shtetërore, por edhe për publikun e gjerë.

Programet tona janë gjithëpërfshirëse dhe të orientuara nga nevojat e administratës. Ato ofrohen në disa mënyra, më e ndeshura prej të cilave është trajnimi në klasë. Ne ofrojmë edukim, por edhe trajnim. Edukim do të thotë të marrësh dije, ndërsa trajnim do të thotë të praktikosh një model sjellje dhe të marrësh udhëzime.

Gjatë 2018 ne kemi ngritur një arkivë me 103 module didaktike trajnimi, që respektojnë parimet e të nxënit tek të rriturit. Ne jemi të vetëdijshëm se për ushtrimin e detyrës duhet të mbajmë parasysh se:

  • Të rriturit kanë nevojë të dinë përse i’u duhet të mësojnë diçka;
  • Të rriturit kanë nevojë të ndiejnë se vetdrejtojnë procesin e tyre të të nxënit;
  • Të rriturit hapen ndaj procesit të të nxënit, nëse ky i fundit i ndihmon të performojnë në mënyrë më optimale;
  • Të rriturit fillojnë një eksperiencë të nxëni nëse informacioni i’u ofrohet si një situatë problematike që i duhet dhënë zgjidhje;
  • Të nxënit tek të rriturit motivohet nga faktorë të brendshëm, si nevoja për vetvlerësim, për arritje, për përgjegjësi dhe nga faktorë të jashtëm, si rritja e pagës, ngritja në karrierë dhe kushte më të mira pune.