Në përputhje me nenin 7 të Ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ka përgatitur programin e transparencës. Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së ASPA-s, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare aspa.gov.al, si dhe në mjediset e pritjes së publikut.

Dokumentacioni i bërë publik përditësohet në mënyrë të vijueshme në përmbajtje. Faqja zyrtare e ASPA-së është lehtësisht e përdorshme, pasi është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun, pa pasur nevojë për kërkesë. Në rubrikat e faqes zyrtare pasqyrohen edhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënave personale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve/subjekteve të të dhënave, etj.

Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi i Transparencës së ASPA-së janë:

1. “E drejta për informim” është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, e aksesueshme nga të gjithë pa asnjë përjashtim.

2. Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave: ASPA ushtron funksione publike, për rrjedhojë informacioni që rrjedh nga veprimtaria e tij publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e ASPA-së dhe përkatësisht: Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen të dhënave personale” i ndryshuar, Ligji nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

4. Informacioni përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.

5. Organ mbikëqyrës i procedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

6. Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

7. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:

• i plotë;
• i saktë;
• i përditësuar;
• i thjeshtë në konsultim;
• i kuptueshëm;
• lehtësisht i aksesueshëm;
• i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik.

Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, ASPA vendos në dispozicion të publikut në faqen e tij të internetit aspa.gov.al dhe në mjediset e pritjes së publikut, kategoritë e mësipërme, në një menu të veçantë të titulluar “Transparenca”.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke nxitur parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit.

Komisioneri bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës.