Vlerësimi i nevojave është themelor për mbarëvajtjen e procesit të trajnimit. Vlerësimi duhet të mundësojë një lidhje sa më të qartë midis nevojave në botën reale, artikulimit të tyre në letër dhe trajnimit si një kontribut mbështetës në rrugën drejt zhvillimit.

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike gjatë periudhës Tetor-Nëntor 2018 kreu procesin e Analizës së Nevojave për Trajnim për të gjitha institucionet e shërbimit civil në rang vendi të administratës qendrore, vendore, si dhe institucionet e pavarura. Procesi i vlerësimit i kryer gjatë vitit 2018 kishte për qëllim evidentimin e nevojave për trajnim në nivel institucioni dhe individi, për tre kategori të mëdha çështjesh që lidhen me nevojat për trajnim në kuadër të vënies në zbatim të detyrave funksionale, të procesit të integrimit evropian, si dhe të nevojave për përmirësim të komunikimit në gjuhë të huaj.