Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), është institucion publik qendror, me autonomi administrative dhe akademike, që ka për qëllim formimin e nëpunësve të pushtetit qendror, pushtetit vendor, si dhe institucioneve të pavaruara. ASPA ushtron veprimtarinë e saj prej vitit 2000, fillimisht e organizuar si Instituti i Trajnimit të  Administratës Publike (ITAP) dhe prej vitit 2013, si Shkolla Shqiptare e Administratës Publike. Organizimi dhe funksionimi i ASPA rregullohet me Ligjin nr. 152/2014 “Për nëpunësin civil”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138 datë 12/03/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe trajnimin e nëpunësve civilë”.

ASPA ofron shërbime të ndryshme në kuadër të programit të trajnimit në klasë, programit të trajnimit për trajnerë, programit të intershipit, programit e-learning, etj. Çdo vit ASPA trajnon rreth 5000 zyrtarë publikë, mbështetur në më shumë se 100 module didaktike trajnimi. ASPA bashkëpunon me trajnerë që vijnë nga bota akademike, administrata publike, si dhe ekspertiza lokale e fushave të ndryshme.

 

Fjala e drejtorit:

I dashur lexues,

Unë quhem Kleopatra Maliqi dhe prej Qershorit 2018 drejtoj Shkollën e Administratës Publike. E kam marrë këtë detyre përsipër me besimin e thellë që puna me dijen dhe për dijen, është rruga më e sigurt për zhvillimin e një shoqërie. Me këtë besim dhe e mbeshtetur nga skuadra e shkollës, po punojmë të gjithë së bashku që të sjellim pranë jush një institucion që i përgjigjet nevojave tuaja me cilësi, integritet, qendërzim klienti, bashkëpunim, inovacion në procesin e të nxënit, dhe trasparencë.

Misioni që kemi marrë përsipër për vitet në vijim është ofrimi i shërbimeve cilësore për të mbështetur procesin e zhvillimit të administratës publike dhe mbarë shoqërisë tonë, nëpërmjet gjetjes së lidhjes midis nevojës, trajnimit dhe ndryshimit, për të merituar besimin tuaj, për përkushtimin tonë ndaj interesit më të lartë publik. Teksa shtrijmë vështrimin drejt të ardhmes ne përfytyrojmë një vizion sfidues për zhvillimin strategjik të shkollës që është: “Të jemi një institucion lider për ngritjen e kapaciteteve të administratës publike”.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, ju ftoj të njiheni më nga afër me shërbimet dhe skuadrën tonë!