Procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian kërkon njohuri, përkushtim dhe profesionalizëm nga e gjithë administrata publike shqiptare. Roli i administratës është kyç në përgatitjen e dokumentacionit, të dhënave e proceseve mbështetëse që e çojnë Shqipërinë drejt BE-së.

Në këtë kuadër, ASPA mundëson trajnim të detajuar dhe efikas për nëpunës të pushtetit vendor, që të kemi në dispozicion një administratë të mirë përgatitur e të kualifikuar për të mundësuar këtë rrugëtim. Trajnimet tona ju njohin imtësisht me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, me institucionet e BE dhe perspektivën europiane.

Kujdes i veçantë i kushtohet edhe monitorimit të progresit të Shqipërisë në përparimin e saj drejt familjes evropiane si edhe asistencës financiare të BE-së dhe strukturat e menaxhimit të kësaj ndihme. Integrimi i Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Europian ngelet një nga sfidat më të mëdha të vendit dhe për t’u bërë pjesë e BE, pritet që të përmbushim disa kushte, mes të cilave, përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe forcimi i kapaciteteve të administratës publike për të qenë e aftë të përballojë këto sfida. Kjo kërkon përgatitje paraprake në të gjitha drejtimet duke përballuar edhe kostot financiaro-ekonomike që Shqipëria përfiton përmes projekteve IPA.

Një nga objektivat kryesorë të BE-së është rritja e pronësisë së përfituesve për këto programe, si dhe decentralizimi i menaxhimit të fondeve IPA. Në këtë kontekst, ASPA ndihmon me trajnimet e saj për rritjen e njohurive të nëpunësve të administratës qendrore por edhe asaj lokale për menaxhimin e fondeve IPA, konkretisht në drejtim të ciklit të menaxhimit të projektit dhe prezantimit me instrumentin financiar të Mbështetjes Buxhetore.

Për më shumë informacion, ju lutem na shkruani në: info@aspa.gov.al