Photo of Cthulu

Albana Gjinopulli

Mjeshtër Trajnimi

Albana Gjinopulli, aktualisht Drejtore e Drejtorisë së Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm, një vazhdimësi e pozicioneve të tjera të rëndësishme në fushën e auditimit publik si Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës akredituar nga BE (2015-2017) dhe Drejtore e Departamentit të Strategjisë, Standardeve dhe Sigurimit të Cilësisë në Kontrollin e Lartë të Shtetit ( 2012 -2015 dhe 2017 -2019), përvojë kjo e paraprirë nga vite punë në administratën publike si menaxhere projekti në Projekte të donatorëve BE dhe Banka Botërore .

Eksperienca e gjatë në fushën e auditimit publik, që prej vitit 2005 në Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit të Brendshëm (sot Drejtoria e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm), ka qenë e pandarë me ekspertizën si trajnerë në fushën e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm. Mësimdhënia është një nga pasionet që ka shoqëruar gjithë jetën profesionale.

Diplomimi në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në Degën Financë- Kontabilitet mundësoi që të hidheshin themelet për t’u shndërruar më pas në një nga punonjësit me eksperiencë të gjatë në auditimin publik. Puna me projekte të donatorëve ndihmuan që njohuritë dhe dijet e fituara të kalonin kufijtë e administratës publike në vend dhe në formësimin e një koncepti të thellë mbi mënyrën se si projektet e huaja financohen dhe menaxhohen. Bashkëpunimi me organizma profesionalë ndërkombëtarë si SIGMA, IDI, EUROSAI etj, kanë ndikuar në zgjerimin e horizontit të njohjes dhe zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit dhe mënyrën se si praktikat dhe standardet ndërkombëtare do të mund të zbatohen dhe të jenë efikase në aktualitetin e Shqipërisë.

Albana Gjinopulli zotëron Diplomë dhe Certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për kontabilitetin dhe auditimin në CIPFA, Institutit të Financave Publike të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Certifikatën si “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik”, Master në Administrim Publik të Universitetit të Nebraskës si dhe një sërë trajnimesh e kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit.

Formimi akademik, profesionalizmi dhe ekspertiza e fituar dhe kualifikimet e marra në një periudhë më shumë se një dekadë i kanë dhënë Albanës profilin e një trajnere të kualifikuar, që zotëron nivel të lartë të njohurive, dijeve dhe aftësive në fushën e auditimit të brendshëm e të jashtëm.