Photo of Cthulu

Erjona Bana Canaj

Mjeshtër Trajnimi

Prof. Asoc. Dr. Erjona Bana (Canaj) aktualisht është Komisionere pranë Avokatit të Popullit në Shqipëri. Ajo është diplomuar në Drejtësi dhe ka një Master në të drejtën familjare nga Universiteti “Sapienza” Romë, Itali. Znj. Bana (Canaj) mban gradën shkencore PhD në të drejtën Ndërkombëtare dhe atë Bashkimit Evropian nga i njëjti Universitet duke u përqëndruar në të drejtën e Bashkimit Evropian, Tregun e Vetëm dhe në veçanti të drejtën e bashkimit familjar.

Ajo ka punuar në disa nga zyrat më të shquara të avokatëve në Romë (Itali). Ajo ka punuar si këshilltare studentore dhe asistente pedagoge në Universitetin e “La Sapienza” në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian (2007-2009). Znj. Bana (Canaj) ka më shumë se 13 vjet përvojë të gjerë profesionale si pedagoge e së Drejtës së Bashkimit Evropian dhe të Drejtave të Njeriut. Ajo ka mbajtur pozicionin e Dekanes së Komanduar të Fakultetit Juridik në Universitetin Evropian të Tiranës (2017), Përgjegjëses së Departamentit të së Drejtës Publike (2016−2017), Përgjegjëses së Departamentit të së Drejtës Private (2015) Përgjegjëses së Departamentit të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane (2011) tek Fakulteti Juridik në Universitetin Evropian të Tiranës, etj. Ajo ka një formim akademik dhe kërkimor mbi të Drejtën e Bashkimit Evropian në veçanti mbi institucionet e BE-së, acquis communitaire, legjislacionin e BE-së, zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe praktikën gjyqësore, tregun e përbashkët evropian si dhe fusha të shumta të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo gjithashtu ka një formim akademik dhe kërkimor shkencor mbi të Drejtat e Njeriut dhe çështjet e Migracionit.

Përveç sfondit akademik, Znj. Bana (Canaj) gjithashtu ka një përvojë të gjatë këshillimi ligjor në fushën e çështjeve evropiane, procesin e integrimit dhe të drejtat e njeriut dhe punë si koordinatore dhe / ose eksperte e jashtme në disa projekte ndërkombëtare dhe kombëtare. Ajo ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në zhvillimin e projekteve në fushën e së drejtës së Bashkimit Evropian, të drejtës familjare dhe të refugjatëve në nivel kombëtar dhe rajonal, përfshirë këtu punën si trajnere në fushat e saj të ekspertizës në Shqipëri dhe Kosovë.

Ajo është gjithashtu trajnere në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e shumë konferencave ndërkombëtare dhe kombëtare brenda fushave të interesit dhe ka botuar disa libra dhe është bashkëautore e disa librave akademikë në fushat e së drejtës ndërkombëtare, të drejtës europiane, legjislacionit të migracionit, siç është E drejta e Bashkimit Evropian. Tiranë, 2020, Migration Law in Albania, Kluwer Law International, 2019, E drejta e bashkimit familjar. Në Bashkimin Europian dhe në Shqipëri, UETPRESS, Tiranë, 2018, E drejta e Bashkimit Evropian. Tiranë, 2014, Lëvizja e lirë e personave në Bashkimin Evropian, Tiranë, 2014, Il diritto al ricongiungimento familiare nel diritto internazionale e dell’Unione Europea, Edizioni Nuova Cultura, Roma, Italia, 2014, E drejta e Bashkimit  Evropian, Tiranë, 2011, E drejta e Bashkimit  Evropian. I azhurnuar me Traktatin e Lisbonës, Tiranë, 2010, E drejta dhe legjislacioni, Botem, Tiranë, 2013.