Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ‘Tony Blair Institute for Global Change’ dhe ‘Apolitical’, duke sjellë në Shqipëri programin global të trajnimit ‘Government AI Campus”.
Ky program ofron mundësi të reja për fuqizimin e punonjësve publikë me njohuri praktike mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në proceset e qeverisjes.
Punonjësit publikë kanë mundësinë të zgjedhin midis tre niveleve dhe moduleve të trajnimit për IA: Awareness, Practitioner dhe Leadership, të dizajnuara sipas profilit profesional dhe nevojave specifike të tyre. Këto programe synojnë të lehtësojnë punën e përditshme përmes njohurive dhe aftësive të reja mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Trajnimet do të zhvillohen online duke ofruar fleksibilitet dhe qasje të lehtë për të gjithë pjesëmarrësit.
Programi “Awareness”, është i dedikuar për çdo nëpunës civil, i apasionuar me IA-në aplikimi i të cilës e ndihmon në funksionin e punës ditore.
Programi “Practitioner”, është i dedikuar për nëpunës publikë të të gjitha niveleve që kanë njohuri të moderuar të IA-së dhe dëshirojnë t’i thellojnë ato për potencialin e zbatimit që IA ofron.
Programi “Leadership”, është i dedikuar për nëpunësit publikë në pozicione drejtuese, që menaxhojnë ekipe dhe dëshirojnë të integrojnë Inteligjencën Artificiale (IA) në punën e tyre, qoftë në Ministri, Departament apo Agjenci Varësie.
Punonjësit e administratës publike të interesuar për t’u bërë pjesë e programit global ‘Government AI Campus’ mund të aplikojnë në linkun:
https://forms.office.com/e/7WGHvJ7RUw
Formulari i aplikimit mund të plotësohet nga të gjithë nëpunësit e administratës publike, të interesuar të përfitojnë nga Programi. Punonjësit duhet të jenë mbajtës / përdorues të adresës zyrtare në domain-in .gov.al të cilët lidhen me institucionet përfituese të shërbimeve të teknologjisë së informacionit përmes AKSHI-t.
Aplikimet mbyllen më datën 5 shtator 2025.
Për të kuptuar nivelin tuaj të përgatitjes në fushën e Inteligjencës Artificiale, vizitoni AI Readiness Check në https://apolitical-arc.co/