Thirrje për aplikim për anëtar në Komisionin Kombëtar të Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues

Thirrje për aplikim për anëtar në Komisionin Kombëtar të Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues

 

Në bazë të parashikimeve ligjore të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 118, datë 5.3.2014 “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) nxjerr njoftimin si më poshtë:
Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND-në ka në përbërje të tij 9 (nëntë) anëtarë, sipas përcaktimit të bërë në nenin 31 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”. ASPA zgjedh përfaqësuesin e vet nga radhët e personave që plotësojnë këto kritere:

a) të ketë arsim të lartë të nivelit të dytë;
b) të ketë një përvojë pune për të paktën 5 (pesë) vjet në administratën publike në pozicione drejtuese, por jo funksione politike dhe në momentin e kandidimit të mos jetë nëpunës civil;
c) të mos ketë qenë anëtar i asnjë partie politike për të paktën 3 (tre) vitet e fundit nga data e kandidimit për anëtar të KKP-së;
ç) të mos ketë qenë i dënuar penalisht për kryerjen e një vepre penale;
d) të ketë cilësi të larta morale dhe profesionale;
dh) të mos ketë masa disiplinore në fuqi;
e) të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.

Kandidatët që duan të aplikojnë duhet të paraqesin brenda dt. 8 korrik 2020 dokumentet e mëposhtme:
a) diplomën e shkollës së lartë;
b) jetëshkrimin (CV);
c) vërtetimi nga punëdhënësi aktual apo ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore;
ç) dëshmi penaliteti;
d) deklaratë personale që nuk ka qenë anëtar i një partie politike për 3 (tre) vitet e fundit;
dh) vërtetim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore të zhvilluara në 3 (tre) vitet e fundit, nën siglën e një partie politike.

Dokumentet që do të dorëzohen duhet të jenë origjinale ose të njëhësuara me origjinalin. Adresa e dorëzimit të dokumenteve: Bulevardi Zhan D’Ark, nr. 15, 1001, Tiranë, Shqipëri. Për çdo pyetje mund të kontaktoni në aspa@aspa.gov.al

Komentoni:

Adresa juaj e e-mail-it nuk do të publikohet.