Photo of Cthulu

Entela Gjika – Trajner

Entela Gjika, Drejtore e Protokollit të Shtetit, i është bashkuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (ish Ministria e Punëve të Jashtme) në nëntor të vitit 2002. Gjatë karrierës së saj diplomatike ajo ka shërbyer në Ministri dhe jashtë vendit. Ka shërbyer në Ambasadën e RSH-së në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe (2010-2016), Misionin e RSh-së pranë Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë (2006-2010) dhe në Ambasadën e RSH-së në Hungari (2005). Në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, nga tetori i vitit 2015 deri në gusht 2016 ajo shërbeu si E Ngarkuar me Punë. Misionin e RSh-së pranë Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë ka mbuluar çështjet e dimensionit politik-ushtarake, ekonomik-mjedisor, si dhe çështjet buxhetore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ajo ishte Përfaqësuese e Përhershme Alternative e Shqipërisë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kur Shqipëria ishte anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë (2007-2009). Entela ka shërbyer në Drejtorinë e OKB-së (2005-2006) dhe Drejtorinë e Nismave Rajonale (2003-2005), në atë kohë Ministria e Punëve të Jashtme. Para se t’i bashkohej shërbimit të jashtëm, Entela Gjika ka punuar në institucione të ndryshme qeveritare dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Zyrën e UNHCR në Shqipëri.

Entela Gjika ka lindur në prill të vitit 1974, në Fier, Shqipëri. Ka përfunduar me rezultatet të shkëlqyera degën  Biologji – Kimi,  Fakulteti i Shkencave të Natyrës,  Universiteti i Tiranës (1996). Në vitin 2001 Entela fitoi një bursë Chevening për studime pasuniversitare nga programi i bursave globale të qeverisë britanike dhe ka një Master në Politikat Publike dhe Studime Zhvillimit nga Universiteti i Mançesterit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe (2002).

Entela Gjika flet shumë mirë gjuhën angleze dhe ka njohuri të mira të gjuhës frënge dhe italiane.