Që prej 30 janarit të vitit 2019, z. Dedja ushtron detyrën e zv. Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, i ngarkuar me çështjet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke përfshirë punën përgatitore për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Z. Dedja është diplomat karriere me gradën Ministër Këshilltar. Prej 16 vitesh, ka mbajtur funksione të ndryshme që lidhen me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Z. Dedja ka mbajtur postin e Drejtorit për Bashkimin Evropian në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme përgjatë periudhës kohore 2016 – 2019. Më parë, ai ka mbajtur pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit për Dialogun Politik me Bashkimin Evropian (2013 – 2016), Këshilltarit në Ministrinë e Integrimit Evropian (2011 – 2013), diplomatit me gradën ‘Këshilltar’ në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimi Evropian në Bruksel (2006 – 2011) dhe të ekspertit pranë Drejtorisë së Bashkimit Evropian (2003 – 2006).
Që prej vitit 2012, z. Dedja mban titullin Doktor në Shkenca Politike, akorduar nga Universiteti i Ghent, në Belgjikë, mbrojtur me temë dizertacioni mbi impaktin e jashtëm të politikave të Bashkimit Evropian mbi emigracionin. Ka kryer Master për Studime Evropiane Bashkëkohore (2003) pranë Universitetit të Sussex në Mbretërinë e Bashkuar dhe ato të nivelit Bachelor (2000), në degën Histori Moderne Evropiane, pranë Universitetit të Napolit Federico II, në Itali.
Ka publikuar artikuj mbi tema që lidhen me impaktin e jashtëm të politikave të Bashkimit Evropian në disa revista shkencore ndërkombëtare, si ‘European Journal of Migration and Law’, ‘East European Politics and Societies’, ‘Journal of Southeast Europe and Black Sea Studies’.