2-01.jpg

Futja e metodave novatore për trajnimin e administratës publike


Mësimi elektronik është një metodë praktike mësimdhënie e cila fokusohet kryesisht në përdorimin e aplikacioneve kompjuterike dhe internetit.Përdorimi i teknologjisë në procesin e mësimit apo trajnimit synon të arrijë në distancë të gjithë ata/ato që për rrethana të caktuara nuk kanë mundësi ta ndjekin atë në kohë të plotë.Kjo metodë mund të ketë ndikim të rëndësishëm në parametrat cilësorë dhe sasiorë të trajnimit.

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) ka parashikuar në Planin e saj të Veprimit dixhitalizimin e materialeve të trajnimit, ngritjen e një sistemi të mësimit elektronik dhe hedhjen e tyre në një platformë dixhitale.

Në zbatim të këtij Plani, projekti i financuar nga Qeveria Gjermane i GIZ: “Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik e tregtar me Acquis-në e BE-së” po mbështet ASPA-n në dizenjimin dhe zbatimin e një numri modulesh trajnimi elektronik për nëpunësit civilë, anëtarë të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës (GNP) për çështje që lidhen me Acquis-në e BE-së

Synimi kryesor i këtyre trajnimeve elektronike, është transferimi i njohurive në mënyrë efektive dhe me fokus tek individi dhe realizohet nëpërmjet prezantimit të qartë dhe lehtësisht të përdorshëm të materialeve. Gjithçka që nevojitet për këtë është: një kompjuter dhe lidhje me internetin

Përfitimet:
· Nëpërmjet mësimit elektronik, në parim, të gjithë anëtarët e GNP-ve mund të ndjekin çdonjërin prej trajnimeve të gatshme të ofruara nga ASPA, pa qenë të kushtëzuar nga vendodhja dhe koha.
· Për çështjet që lidhen me acquis e BE-së, teknologjia moderne mund të kombinohet me mësimin tradicional në klasë, dhe në një farë mase edhe mund ta zëvendësojë atë. 
· Mësimi elektronik mund të fillohet sa herë ndonjë anëtar i GNP-së duhet të përmbushë një detyrë të caktuar.
· Nëpërmjet internetit, anëtarët e GNP-së kanë mundësi të njihen me persona nga pjesë të ndryshme të vendit apo nga vende të tjera.
· Mësimi në distancë, që ndërthur teknologjinë me parimet e shëndosha të mësimdhënies, mund të jetë po kaq efektiv, e ndonjeherë edhe më i mirë, se mësimdhënia klasike ballë për ballë.     

Rezultatet:
ASPA, me mbështetjen e projektit të GIZ, ka zbatuar metodën e parë pilote të trajinimit elektronik për nëpunësit civilë.
Trajnimi u shërben nëpunësve civilë, anëtarë të GNP-ve, për përgatitjen dhe përditësimin e Analizave të Mangësive Ligjore.
Analiza e Mangësive Ligjore është një instrument strategjik nëpërmjet të cilit identifikohen mangësitë e legjislacionit shqiptar kundrejt atij europian. Ajo ndihmon në kuptimin më të më mirë të angazhimeve në procesin e përafrimit të legjislacionit dhe në planifikimin e masave për këtë qëllim. Për më shumë mbi trajnimin elektronik ndiqni
linkun.


Përgatitja e administratës publike shqiptare lidhur me çështjet e përafrimit të legjislacionit, do të jetë detyrë për shumë vite në vazhdim. Për këtë arsye, përdorimi i teknologjisë së informacionit në trajnimet e ofruara nga ASPA në këtë drejtim do të rrisë efektivitetin, ulë kostot dhe lehtësojë sigurimin e qëndrueshmërisë së trajnimeve.