big_milena_foto.jpg


Në 17 Mars 2014 në mjediset e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike u organizua tryeza e rrumbullaket me temë “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë”.

Ministri për Inovacion dhe Administratën Publike Milena Harito u shpreh se, ligji i ri për nëpunësin civil do të mundësojë hyrjen në fuqi të sistemit të karrierës. “Ky ligj, sado që është përfolur, kritikuar e lavdëruar sipas momenteve, në të vërtetë sjell një ndryshim esencial për Administratën Publike në Shqipëri. Për hyrjen në Administratën Publike ndodhin dy ndryshime të mëdha. E para, hyhet vetëm në rang specialisti. Kandidatët   nuk mund të hyjnë direkt si drejtor, sekretar i përgjithshëm. Futet në mënyrë të qenësishme sistemi i karrierës. Pra, në administratë hyhet si specialist dhe ngjiten shkallët e karrierës gradualisht”, shpjegoi Ministrja Harito.
Ndryshimi i dytë, shumë i rëndësishëm, sipas ministres, është rekrutimi : “Ndryshime ka edhe në rekrutimin e personave, pasi ne nga shtatori kemi rritur numrin e kandidatëve. Nuk janë më institucionet që rekrutojnë nëpërmjet një konkursi. Në administratë hapen pozicione sipas planifikimit dhe bëhen konkurse në grup, ku shpallet një numër i caktuar fituesish, për një numër të caktuar pozicionesh.”, tha ministrja Harito. Ndërkaq, duke bërë dallimin me ligjin e vjetër për statusin e nëpunësit, ministrja tha se, “Pas konkurrimit shpallen fituesit dhe sipas rankimit në listë, ata zgjedhin institucionin ku duan të punojnë. Kështu, nëse me ligjin e vjetër ishte drejtuesi i institucionit që përzgjidhte se, cilin nga fituesit e konkurseve do të punësonte, tashmë me ligjin e ri është vetë personi që zgjedh institucionin. Kjo e pakëson shumë mundësinë e abuzimit nga ana e institucioneve”. 

Ministrja Harito foli edhe për shkollën e administratës publike “ASPA” duke theksuar se qeveria ka shtuar buxhetin e shkollës çka do të bëjë të mundur realizimin e trajnimeve për të gjithë punonjësit e administratës.

Pjesë e tryezës “Perspektiva evropiane e Shqipërisë” ishin  edhe Ambasadori i Greqisë, Leonidas Rokanas vendi i të cilit mban presidencën e BE-së si dhe Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani.