big p1011047

Grupi i posaçëm i reformës në Administratën Publike BE – Shqipëri, mbajti sot takimin e dytë, për të diskutuar rreth progresit të arritur gjatë vitit 2013, në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe në adresim të rekomandimeve të BE-së në fushën e reformës në Administratën Publike.

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, e cila drejtoi këtë takim, e vuri theksin në angazhimin e plotë të qeverisë në transformimin e Administratës Publike. Ajo nënvizoi rëndësinë e Ligjit të “Nëpunësit Civil”, duke theksuar se ky ligj forcon parimin e meritës në rekrutime, përmirëson zhvillimin e karrierës, forcon unitetin dhe homogjenitetin e regjimit të punësimit në Shërbimin Civil.

Gjithashtu, znj. Harito shprehu vendosmërinë e qeverisë “për të ndryshuar një mendësi të rrënjosur thellë, sipas së cilës, në Administratën Publike punësimi bëhet me njohje ose me praktika korruptive”.

Fjala e plotë e Ministres Harito, në takimin e Grupit të Posaçëm të reformës në Administratën Publike BE – Shqipëri.

“Më lejoni të shpreh falënderimet e mia për angazhimin tuaj dhe pjesëmarrjen në takimin e dytë të Grupit të Posaçëm të Reformës në Administratën Publike.

Në këtë takim, pala shqiptare do t’ju informojë mbi progresin e arritur gjatë vitit 2013, në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe në adresim të rekomandimeve të Bashkimit Evropian në fushën e reformës në administratën publike.

Por, përpara se t'ju them në mënyrë të përmbledhur disa nga zhvillimet që do të diskutohen sot, do të doja te theksoja angazhimin e veçantë që qeveria jonë ka marrë për transformimin e Administratës Publike.

Së pari, kjo fillon me krijimin e Ministrit të Shtetit që mbulon posaçërisht Administratën Publike, për të pasur përgjegjësinë direkt të reformës së Administratës.

Së dyti, ne jemi të angazhuar fort për të ndryshuar një mendësi të rrënjosur thellë, që prej më shumë se 70 vjetësh, sipas së cilës në Administratën Publike punësimi bëhet me njohje, ose edhe më keq me praktika korruptive.

Por si do ta bëjmë ne ndryshimin? Menjëherë pas zgjedhjeve ndërmorëm një iniciativë; krijimin e një baze të dhënash të gjithë kapaciteteve njerëzore që dëshirojnë të punësohen në Administratën Publike, e cila sot ka arritur në rreth 15 mijë aplikantë. Përse është e rëndësishme kjo gjë? Sepse, me krijimin e çdo pozicioni të lirë pune, lajmërohen automatikisht qindra kandidatë, gjë që rrit ndjeshëm pjesëmarrjen në konkurse duke pakësuar në mënyrë të ndjeshme mundësitë e abuzimit dhe arbitraritetit në përzgjedhjen e kandidatëve.

Por më konkretisht, për sa i përket reformës ligjore dhe Ligjit për Nëpunësin Civil, si dhe legjislacionit të nevojshëm dytësor në zbatim të tij, mund të themi se ka shënuar progres miratimi në maj të vitit 2013, me konsensus, i ligjit të ri “Për nëpunësin civil” me nr. 152/2013, i cili hyri në fuqi, ashtu siç ishte parashikuar, më 1 tetor 2013.

Ky ligj sjell disa risi të rëndësishme në fushën e Administratës Publike: Së pari, ai forcon unitetin dhe homogjenitetin e regjimit të punësimit në shërbimin civil, përfshin në regjimin e nëpunësit civil institucione të varësisë të cilët nuk ishin më pare, si edhe pushtetin vendor, duke e çuar numrin e punonjësve të administratës që kanë pra statusin e Nëpunësit Civil, nga 6 mijë në rreth 20 mijë, duke filluar nga prilli I vitit 2014.

Ligji sjell edhe ndryshime të tjera të rëndësishme: forcon parimin e meritës në rekrutime, përmirëson mobilitetin dhe zhvillimin e karrierës brenda shërbimit civil.

Megjithatë, për shkak se ligji shfuqizonte legjislacionin ekzistues, por pa ofruar dispozitat e nevojshme kalimtare deri në zbatimin e legjislacionit të ri, qeveria shqiptare, me qëllim shmangien e vakumit ligjor, miratoi në shtator 2013, siç ju e dini, Aktin Normativ për shtyrjen me 6 muaj të efekteve vepruese të ligjit për Nëpunësin Civil. Aktualisht, po punohet intensivisht për hartimin e akteve nënligjore, koha është shkurtër dhe mund t’ju them me kënaqësi se 4 drafte e para janë publikuar që dje në web-in e DAP-it dhe do të fillojë menjëherë konsultimi me palët e interesuara për këto drafte të para.

Në shtator 2013 është ngritur grupi i punës përgjegjës për hartimin e legjislacionit dytësor dhe po punohet për hartimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji. Grupi i punës përbëhet nga ekspertë të DAP, të ministrive të linjës që mbulojnë fushat përkatëse, ekspertë lokalë, akademikë, si dhe po asistohet nga ekspertët e SIGMA-s. Të gjitha aktet nënligjore përkatëse parashikohet të hartohen, konsultohen me grupet e interesit dhe të rishikohen brenda datës 30 dhjetor 2013. Po ashtu, deri me datë 15 janar 2014 është parashikuar të përmbyllet procedura e duhur për dërgimin e tyre për miratim në Këshillin e Ministrave.

Gjithashtu, në kuadër të reformës strukturore shtetërore dhe me qëllim frytshmërinë, uljen e kostove të shërbimit, rritjen e besimit të publikut dhe qëndrueshmërinë e institucioneve publike, me Urdhër të Kryeministrit nr. 167, datë 8.10.2013, është ngritur “Komitetit Ndërministror për Reformën Strukturore të Shtetit”, i cili kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje të tij Ministrat e Shtetit dhe Zëvendësministra që mbulojnë fushat përkatëse.

Në lidhje me zhvillimet për krijimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), theksojmë se krijimi i Shkollës në shkurt të këtij viti (2013), shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të administratës publike shqiptare. ASPA do të sigurojë trajnim profesional përmes një programi trajnimi të thelluar, me kohë të plotë, si dhe programin e formimit profesional të vazhdueshëm.

Për sa i përket zhvillimeve në lidhje me fazën e dytë operacionale të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (SIMBNJ/HRMIS), aktualisht po punohet për bërjen funksionale të sistemit në 16 ministritë e linjës si dhe Kryeministri. (Gjatë vitit 2012, procedura e tenderimit për këtë proces nuk u realizua me sukses në të tre fazat e parashikuara, për shkak se kandidatët nuk përmbushnin kushtet e parashikuara të specifikimeve teknike. Prandaj, në këtë kuadër dhe me qëllim përditësimin e aplikimit dhe mirëmbajtjen, DAP do të mbështetet nga Trust Fund I menaxhuar nga Banka Botërore, në procesin e shtrirjes së sistemit në të gjitha ministritë dhe institucionet e varësisë, si dhe në lidhjen e tij me sistemin e thesarit. Konkretisht, është alokuar një shumë prej 250,000 € nga Trust Fund dhe miratuar nga qeveria shqiptare. Aktualisht, projekti është në fazën e rishikimit të Termave të Referencës.

Në kuadër të hartimit të Strategjisë Ndër-sektoriale të Reformës në Administratën Publike, 2014 – 2020 dhe pas miratimit të Ligjit të ri për Nëpunësin Civil, i cili do të reflektohet në draft-Strategjinë e hartuar në fund të vitit 2012, oo punohet për finalizimin e Strategjisë dhe Planit të saj të Veprimit 2014 - 2020, në përputhje me prioritetet dhe politikat e qeverisë tonë. Pra ishte e nevojshme që kjo strategji të integronte gjithë gjërat e reja, ligjin e ri, por njëkohësisht ehe prioritetet tona

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke përfunduar, më lejoni që të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian, në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, që është një nga dëshirat e thella, të vazhdueshme dhe të pandryshueshme të gjithë qytetarëve shqiptarë, si dhe t’i uroj suksese punimeve të Grupit të Posaçëm të Reformës në Administratën Publike.

Faleminderit!”