Untitled.jpg

NJOFTIM PARAPRAK MBI THIRRJEN PËR APLIKIME PËR SKEMËN E BURSAVE PËR NËPUNËSIT E RINJ CIVILË 2017-2018

Shënim: Ky njoftim është një komunikim informues për hapjen e thirrjes për aplikim në lidhje me Bursat për Nëpunësit e Rinj Civilë 2017-2018. Procesi aktual i aplikimit do të kryhet gjatë periudhës 27 nëntor-15 dhjetor 2017. Informacioni shtesë mbi procesin e aplikimit dhe programin në përgjithësi, mund të gjendet në faqen e internetit: www.ycsalbania.eu.

Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të veçantë përgatitjes së administratës publike të vendeve anëtare dhe mbështet fuqizimin e kapaciteteve të shërbimit civil për të aftësuar administratat kombëtare mbi sfidën e madhe të menaxhimit të negociatave me BE-në. Paralelisht me përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, BE gjithashtu mbështet fuqizimin e kapaciteteve brenda shërbimit civil.

Në këtë kuadër, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kontraktuar Shkollën Franceze të Administratës Publike "Ecole National d'Administration" (ENA), e cila në bashkëpunim me ASPA do të hartojë dhe zbatojë programin e një trajnimi specifik dhe praktik për 15 nëpunës civil të rinj nga administrata shtetërore shqiptare dhe institucionet e varësisë. Kohëzgjatja e këtij programi trajnimi do të jetë 4 muaj: 0.5 muaj trajnim paraprak në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), 3.5 muaj sesione trajnimi praktik pranë ENA-s në Paris dhe Strasburg ku përfshihet dhe një vizitë studimore në institucionet e BE-së.

Programi i trajnimit do të jetë subjekt i një testimi final bazuar në përfundimin e programit 4 mujor dhe prezantimin e një projekti të përgatitur individualisht, përpara një paneli ndërkombëtar.

Sesionet e trajnimit në ENA do të jenë ndërvepruese, duke u përqendruar në shembuj konkretë, misione dhe aktivitete të administratës publike, raste studimore dhe ushtrime të tjera. Këto të fundit do të përfshijnë argumente verbale, diskutime në grupe dhe krijimin e një mjedisi stimulues të mësimdhënies dhe vlerësimin e përparimit të kolegëve. Pjesë e programit të trajnimit do të jenë gjithashtu dhe vizita në institucione të përzgjedhura franceze dhe Evropiane të administratës publike. Projekti përfundimtar që do të paraqitet në përfundim të këtij cikli trajnimi do të bazohet në detyra fillestare që do të përcaktohen për çdo praktikant në fillim të trajnimit dhe do të jetë në përputhje me programin e trajnimit dhe pritshmëritë e institucioneve shqiptare.

Kritere sugjeruese të pranimit për nëpunësit civil

-        Nëpunës civil të punësuar sipas ligjit për nëpunësin civil dhe me status të konfirmuar në shërbimin civil;

-        Aktualisht të punojnë në administratën publike shtetërore ose në institucionet shtetërore të varësisë;

-        Niveli i kategorisë ekzekutive dhe të ulët drejtuese në fushat: Politika Publike, Hartimi i Legjislacionit, Integrimi Evropian, Zbatimi i Strategjive dhe Raportimi, Planifikimi i Buxhetit dhe Menaxhimi Financiar, anëtarë të Grupeve Ndër-institucionale të Punës dhe Grupi i Menaxhimit të Politikave të Integruara (GMPI);

-        Mosha: maksimumi 35 vjeç (në kohën e aplikimit);

-        Eksperienca në këtë fushë: maksimumi 5 vjet në administratën publike, në kohën e aplikimit;

-        Nuk kanë përfituar më parë nga skema të ngjashme;

-        Përdorues të gjuhës angleze (minimumi niveli B2).

Shënim:

-        Procesi i testimit dhe programi i trajnimit do të kryhet në gjuhën angleze;

-        Do të përzgjidhet një numër maksimal prej 15 kandidatësh;

-        Thirrja për aplikime do të hapet për çdo fushë të përcaktuar në pikën 3, nën kriteret e pranimit;

-        Thirrja për aplikime do të përcaktojë maksimumin e vendeve të dedikuara për çdo fushë aktiviteti të përmendur më sipër.

Procesi i aplikimit

Me hapjen e procesit të aplikimit, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë, si shprehje e interesit për pjesëmarrje në procedurën përzgjedhëse:

-        CV (formati Europass http://europass.cedefop.europa.eu/documents/curriculum-vitae);

-        Letër e shprehjes së motivimit, e cila përshkruan arsyet pse dëshironi të bëheni pjesë e programit;

-        Formulari i Aplikimit;

-        Kopje e vlefshme e certifikatës së gjuhës TOEFL, IELTS, ose Cambridge (nëse e dispononi); Në rastet kur kandidati nuk disponon një certifikatë të tillë, atëherë ai do t’i nënshtrohet një testimi për gjuhën Angleze;

-        Deklarata e përgjegjësisë në lidhje me përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, duke përfshirë këtu disponueshmërinë për të udhëtuar jashtë vendit dhe qëndrimin në Francë për periudhën e trajnimit, të nënshkruar në datën përkatëse nga kandidati;

-        Fotokopje e pasaportës (në rast se pasaporta skadon përpara 31 dhjetorit 2018, duhet rinovuar gjatë periudhës së aplikimit);

-        Të gjithë kandidatët që përmbushin kriteret e aplikimit do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim dhe me gojë.

Datat kryesore sugjeruese

-        27 nëntor-15 dhjetor 2017: Hapja e thirrjes për aplikim;

-        18 dhjetor 2017: Testim i gjuhës angleze (për kandidatë të përzgjedhur, të cilët nuk kanë certifikatë të vlefshme TOEFL, IELTS ose Cambridge);

-        20 dhjetor 2017: Testim me shkrim;

-        8-12 janar 2018: Testimi me gojë;

-        15-26 janar 2018: Publikimi i rezultateve dhe nënshkrimi i kontratës me administratën vendase;

-        26 shkurt 2018: Fillimi i ciklit të trajnimit.

Kandidatët e suksesshëm do të angazhohen

-        Pjesëmarrje të detyrueshme në ciklin e trajnimit nga dita e parë deri në provimin në përfundim të ciklit, për një kohëzgjatje totale prej 4 muajsh;

-        Dorëzimin e të gjitha dokumenteve në kohën e duhur për procesin e vizave dhe finalizimin e kontratës me administratën e vendit të tyre, ENA dhe DAP. Këto procese do të lehtësohen nga zyra e projektit në Tiranë;

-        Pasaportë të vlefshme (biometrike) deri më 31 dhjetor 2018.

Ky program do të mbulojë shpenzimet e mëposhtme

-        Pagesën e shkollimit për të gjithë kohëzgjatjen e praktikës;

-        Akomodimin dhe koston e jetesës në Francë;

-        Kostot e vizës;

-        Biletat e avionit dhe sigurimin shëndetësor.

Shënim përmbyllës:Programi promovon mundësi të barabarta. Midis kandidatëve të kualifikuar me pikë të barabarta, kandidat i suksesshëm do të konsiderohet gjinia më pak e përfaqësuar midis kandidatëve të suksesshëm, ose persona me aftësi të kufizuara.